Si të testosh dhe të publikosh një aplikacion Android në Google Play (2026)
Nga closed testing me 12 testues te staged rollout: udhëzues praktik për të testuar dhe publikuar aplikacionin tënd Android në Google Play në 2026.
Ke mbaruar aplikacionin dhe tani do ta nxjerrësh në Google Play. Te publikimi i aplikacionit Android, pjesa që i zë në befasë shumicën e zhvilluesve nuk është kodi, por procesi: llogaria, testimi i detyrueshëm, formularët dhe kërkesat teknike që ndryshojnë çdo vit. Ky është udhëzuesi im praktik për 2026, nga testimi i parë deri te lançimi.
Çfarë të duhet para se të nisësh
- Llogari zhvilluesi në Google Play Console, me një pagesë të vetme regjistrimi prej 25 dollarësh.
- Verifikim identiteti. Google kërkon dokument identiteti për llogaritë personale. Për llogari organizate të duhet edhe numër D-U-N-S dhe faqe interneti.
- Android App Bundle (.aab), jo APK. Google Play pranon vetëm AAB për aplikacionet e reja.
- Politikë privatësie e publikuar në një URL publike.
- Ikona 512×512, grafikë kryesore 1024×500 dhe të paktën dy screenshot-e.
Kërkesat teknike për publikimin e aplikacionit Android në 2026
Nga 31 gushti 2026, sipas rregullave të Google për target API, aplikacionet e reja dhe update-t duhet të synojnë Android 16 (API level 36) ose më lart. Aplikacionet ekzistuese duhet të synojnë të paktën Android 15 (API 35) që të mbeten të dukshme për përdoruesit e rinj në pajisjet më të reja. Kontrollo targetSdkVersion te build.gradle para çdo upload-i.
Nëse përdor React Native, Flutter ose Expo, përditëso framework-un paraprakisht: shpesh versioni i vjetër nuk kompilon me API 36 pa ndryshime në librari.
Si të testosh aplikacionin Android para publikimit
1. Testim lokal në emulator dhe pajisje reale
Emulatori i Android Studio mjafton për fillim, por testo patjetër në të paktën dy telefona realë: një të ri dhe një të vjetër, me ekrane të ndryshme. Shumica e bug-eve që shohin përdoruesit shfaqen vetëm në pajisje reale: leje që refuzohen, rrjet i dobët, font i zmadhuar, modaliteti i errët.
2. Teste automatike
Unit test-et për logjikën dhe disa teste UI për rrjedhat kryesore (regjistrim, login, pagesë) të kursejnë shumë kohë më vonë. Nuk të duhet mbulim 100%; të duhet siguria që rrjedhat që sjellin para nuk prishen nga një update.
3. Internal testing
Në Play Console, Testing → Internal testing të lejon të shpërndash build-in te deri në 100 testues të besuar brenda pak minutash. Përdore për ekipin dhe klientin. Kujdes: internal testing nuk llogaritet për kërkesën e testimit të detyrueshëm më poshtë.
4. Closed testing: 12 testues për 14 ditë
Ky është hapi që ngec shumicën. Sipas Google Play Console Help, llogaritë personale të krijuara pas 13 nëntorit 2023 duhet të bëjnë një closed test me të paktën 12 testues që qëndrojnë të regjistruar 14 ditë rresht para se të kërkojnë akses në production. Llogaritë e organizatave nuk e kanë këtë detyrim.
Si ta kalosh pa humbur javë:
- Merr 15–20 testues, jo 12. Nëse dikush bën opt-out dhe bie nën 12, numëruesi rinis.
- Përdor një Google Group si listë testuesish; shton njerëz pa prekur çdo herë Play Console.
- Kërkoju ta përdorin vërtet aplikacionin disa herë në javë. Google shikon angazhimin, jo vetëm numrin.
- Nxirr update gjatë testit. Rregullo bug-et që raportojnë; kjo tregon se testimi është real.
- Mbaj shënime. Në fund plotëson një pyetësor për production access: kush testoi, çfarë gjete, çfarë ndryshove.
5. Pre-launch report
Kur ngarkon një build, Google e hap automatikisht në disa pajisje reale dhe gjeneron një raport me crash-e, probleme aksesueshmërie dhe paralajmërime sigurie. Lexoje para çdo release. Është falas dhe kap gjëra që nuk i sheh në telefonin tënd.
Publikimi i aplikacionit Android në Google Play hap pas hapi
1. Krijo aplikacionin në Play Console
Emri, gjuha kryesore, falas apo me pagesë (falas nuk mund të bëhet me pagesë më vonë), aplikacion apo lojë.
2. Plotëso “App content”
Ky seksion ka shumë formularë dhe secili mund të bllokojë publikimin e aplikacionit Android:
- Privacy policy: URL-ja e politikës.
- Data safety: çfarë të dhënash mbledh, pse, a ndahen me palë të treta. Përfshi edhe SDK-të (Firebase, analytics, reklama).
- Content rating: pyetësori IARC për moshën.
- Target audience: grupmoshat. Nëse përfshin fëmijë, rregullat bëhen shumë më të rrepta.
- Fshirja e llogarisë: nëse aplikacioni ka llogari, duhet një mënyrë për t’i fshirë, brenda aplikacionit dhe në web.
- Ads: a ka reklama apo jo.
3. Store listing
Titulli (deri në 30 karaktere), përshkrimi i shkurtër (80) dhe i gjatë (4000). Këtu vlen ASO, SEO-ja e dyqaneve: fjala kyçe kryesore në titull dhe në fillim të përshkrimit, screenshot-e që tregojnë vlerën dhe jo thjesht ekranet. Mund të shtosh përkthime, p.sh. anglisht dhe shqip.
4. Play App Signing
Google ruan çelësin e nënshkrimit të aplikacionit; ti nënshkruan vetëm me një upload key. Ruaje upload key-n në vend të sigurt dhe bëj backup. Nëse e humbet, rikuperimi kërkon kohë.
5. Production release
Pasi merr aksesin në production, krijo release, ngarko AAB-në, shkruaj release notes dhe dërgoje për shqyrtim. Shqyrtimi zakonisht zgjat nga disa orë deri në disa ditë; për llogari të reja mund të zgjasë më shumë.
6. Staged rollout
Mos e hap te 100% e përdoruesve menjëherë. Fillo me 10–20%, shiko crash-et te Android vitals dhe vlerësimet, pastaj rrite. Nëse diçka shkon keq, e ndalon rollout-in pa dëmtuar të gjithë përdoruesit.
Verifikimi i zhvilluesit dhe sideloading
Në 2026 Google po nis verifikimin e zhvilluesve Android: aplikacionet e instaluara normalisht në pajisjet e certifikuara do të duhet të jenë të lidhura me një zhvillues të verifikuar, edhe kur shpërndahen jashtë Google Play. Zbatimi nis më 30 shtator 2026 në disa vende dhe zgjerohet globalisht në 2027. Nëse publikon në Google Play, shumica e aplikacioneve regjistrohen automatikisht; nëse shpërndan APK direkt te klientët, regjistroje aplikacionin që tani.
Gabimet më të shpeshta që shkaktojnë refuzim
- Data safety që nuk përputhet me atë që bën realisht aplikacioni ose SDK-të e tij.
- Leje të panevojshme (SMS, vendndodhje në sfond, akses i plotë në skedarë) pa arsyetim.
- Login pa llogari demo për shqyrtuesit. Jepu kredencialet te App access.
- Përshkrim që premton funksione që nuk ekzistojnë, ose përdor emra markash të të tjerëve.
- Target API i vjetër.
Pyetje të shpeshta
Sa kushton publikimi i aplikacionit Android në Google Play?
25 dollarë një herë për llogarinë e zhvilluesit. Pastaj Google merr komision vetëm nga shitjet dhe abonimet brenda aplikacionit.
Sa zgjat procesi për një llogari të re personale?
Llogarit të paktën 3–4 javë: verifikimi i llogarisë, 14 ditët e closed testing, shqyrtimi i aksesit në production dhe shqyrtimi i release-it.
A mund ta shmang kërkesën e 12 testuesve?
Po, me një llogari organizate të verifikuar me D-U-N-S. Për një biznes të regjistruar në Shqipëri kjo shpesh është zgjidhja më e mirë.
A mund të publikoj të njëjtin aplikacion edhe në iPhone?
Po, por procesi është krejt tjetër. Shiko udhëzuesin tim për testimin dhe publikimin e aplikacionit iOS në App Store.
Nëse do që dikush ta ndërtojë, ta testojë dhe ta nxjerrë aplikacionin tënd në të dy dyqanet, shiko shërbimet e mia ose më shkruaj.
Marrim një numër të kufizuar projektesh njëkohësisht. Na tregoni çfarë po ndërtoni dhe do t’ju japim një vlerësim të sinqertë nëse jemi partneri i duhur.
Na kontaktoni →
2 komente